Kryeqyteti është gati të mirëpresë edicionin e shtatë të ‘Tirana Art Fest’, festivali rinor i Tiranës që bashkon më shumë se 400 të rinj të talentuar nga të gjitha shkollat e mesme të Tiranës në katër disiplina: Këngë, Instrumente, Kërcim dhe Multimedia.
Organizata LIBURNETIK me bashkëpunimin e Bashkinë Tiranë, sjell eventin artistik në një vit shumë të rëndësishëm për Tiranën si Kryeqyteti Europian i Rinisë duke i ofruar të rinjve mundësinë që jo vetëm të zhvillojnë aftësitë e tyre artistike por të mentorohen nga artistët më të njohur nga publiku.
Displina e Këngës që do të ketë në vëmendje yjet e ardhshëm të skenës do të përzgjidhen dhe mentorohen nga Eneda Tarifa dhe Kamela Islamaj.
Eneda Tarifa prej më shumë se 20 vitesh është pjesë e muzikës duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në Eurovision Song Contest. Ajo ka marrë pjesë jo vetëm si këngëtare në hapësirën e artit por edhe si drejtuese e spektaklit ‘Portokalli’ në Top Channel.
Kamela Islamaj është një tjetër personazh që do të vendoset përpara sfidës për të përzgjedhur më të mirët e Tirana Art Fest në kategorinë ‘Këngë’. Kamela vjen si një artiste e cila ka spikatur pikërisht nga spektaklet ‘talent-show’ në ekranin e vogël dhe jo vetëm. Rrugëtimin në ekran, Kamela e ka nisur në ‘Ethet e së Premtes Mbrëma’ në Top Channel. Përveç studimeve të saj të mesme dhe të larta në Liceun Artistik dhe Universitetin e Arteve në Tiranë ajo numëron një numër të lartë pjesëmarrjesh në konkurset muzikore duke përfshirë Festivalin e Këngës (Çmimi i Tretë), Top Fest (çmimiet ‘Best Pop’ & ‘Best Rock’). Ajo gjithashtu ka qënë pjesë e skuadrës së jurisë së ‘The Voice of Albania’.
Në kategorinë Instrument do të marrin pjesë tre muzikantë të spikatur në botën e muzikës.
Andi Kongo është instrumentist i njohur dhe këngëtar i muzikës së lehtë shqiptare. Gjithashtu kompozitor i disa këngëve për fëmijë.
Nga emrat e rinj rikthehen Ergys Myftari dhe Gjergj Kaçinari.
Pas një viti mungesë rikthehet disiplina e Multimedia në mentorimin e Shpend Bengu. Bashkëpunëtor aktiv në universitetin e Calabrisë si dhe ne institucione te tjera publike te Rajonit të Calabrisë si ekspert në dizajn grafik, pikturë, teknikë të multimedias.
Aktiviteti do të ndahet në katër faza. Faza e parë do të jetë ajo e audicioneve ku në 5 ditë, të rinjtë pjesëmarrës do të përzgjidhen nga mentorët. Pas përzgjedhjes, të rinjtë e kualifikuar do të trajnohen dhe do të punojnë ngushtë me mentorët për fazën e Minispektakleve. Pas kësaj faze, të njohur ndyshe edhe si betejat talentet e reja do të bëhen pjesë e gjysmëfinaleve për të prekur kështu skenën e madhe të Finales.
Gjithçka do të nis në datë 19 Prill, në ambientet e Qendrës TEN ora 16.00.